Skip menu

Celebrating information accessibility and raising awareness of Open Standards. Learn more.

Dëshmi

Dita e Lirisë së Dokumenteve kremton rëndësinë e Standardeve të Hapura për krejt dokumentet elektronike, qofshin publike apo private. Nëse duam ta ruajmë trashëgiminë tonë dixhitale na duhet të tërëve të përzgjedhim Standardet e Hapura, të sendërtueshme nga cilido, si zgjedhja jonë parazgjedhje për depozitimin e tyre.

Jeremy Allison, zhvillues kryesor i Samba-s

Standardet e Hapura garantojnë zhvillim të lirë të infrastrukturës dhe kështu edhe një komunikim të lirë dhe të përcaktuar nga përdoruesi.

Markus Beckedahl, Digitale Gesellschaft, netzpolitik.org

Standardet e Hapura janë në zemrën e Internetit dhe të shumëçka lindi për të funksionuar në këtë platformë globale dhe gjithnjë në rritje. Thelbi i standardeve të hapura është ndërveprueshmëria. Birësimi i standardeve të hapura shpie në funksionimin e ndërsjelltë të produkteve konkurruese. Sipas cilitdo vlerësimi me bazë shifrat, standardet e hapura i zvogëlojnë pengesat për hyrje në tregjet ekzistuese dhe rrisin zgjedhjen e konsumatorit.

Vint Cerf, Chief Internet Evangelist, Google

Për më shumë se 30 vjetë, Oracle ka qenë një përkrahës i fuqishëm dhe pjesëmarrës në standardizimet globale. Standardet e Hapura thellojnë risimin dhe lehtësojnë konkurrencën e ndershme. Duke ndihmuar ndërveprueshmërinë, standardet e hapura mund të ndihmojnë të sigurohen të drejtat e konsumatorëve dhe klientëve për zgjedhje mes tregtuesish dhe produktesh.

Don Deutsch, VP Standards Strategy & Architecture, Oracle

Me kalimin e kohës, kartela që janë ruajtur nën formate të mbyllur bëhen gjithnjë e më pak të përdorshme për krijuesit. Parapëlqejmë që njerëzit të përdorin formate moderne dhe vërtet të hapur, të tillë si ODF-ja, kurdo që është e mundur, që të sigurohet se ata munden të vazhdojnë përdorimin dhe të shijojnë veprat e tyre sot dhe në të ardhmen e largët.

Chris DiBona, Administrator i Burimit të Hapur tek Google

Standardet e Hapura kanë kuptim. Çfarë nuk ka kuptim është që kompanitë e mëdha të fushës ende nuk e kuptojnë këtë. Ka ardhur koha t'i jepet fund një herë e përgjithmonë kësaj gjëje të pakuptimtë të dokumenteve të dërguar nga një platformë, por të pakuptueshëm për përdoruesin e një tjetre.

Stephen Fry, aktor, skenarist, autor, dramaturg, gazetar, poet, humorist, prezantues televiziv, regjisor filmash. Fotoja sipas: CC BY-SA 3.0

Standardet e Hapura janë themelet e shëndosha të ndërveprueshmërisë, konkurrencës dhe zgjedhjes. Tre gjëra kyçe për një shoqëri të hapur, risore dhe të suksesshme.

Peter H. Ganten, president i bordit, OSB Alliance

Formatet e hapura për dokumentet bëjnë të mundur që informacionet tuaja të vyera të mos shndërrohen në mbetje dixhitale toksike pas përditësimit tuaj pasues drejt një software-i të ri. A do të jetë ende gjallë pas dhjetë vjetësh software-i që përdorni tani? Nëse përgjigja është jo, sigurohuni se po përdorni Standarde të Hapura që të shpëtoni të dhënat tuaja.

Karsten Gerloff, President, Free Software Foundation Europe

Kultura duhet të jetë e lirë dhe e përdorshme nga cilido.

Margherita Hack, astrofizikaneFotoja sipas: CC BY-SA 2.0

Liria e dokumenteve është koncepti sipas të cilit dokumentet tona janë pronë e jona dhe se përdorimin e tyre e përcaktojmë ne. Të gjithë ne dëshirojmë ta shprehim lirinë tonë dhe nuk duhet të varemi nga postblloqe artificiale ose teknike informatike të ngritur për të na penguar përdorimin e vetë dokumenteve tonë.

Olivier Hallot Kryetar i ALTA-s (Associação Libre de Tecnologias Abertas) Themelues, anëtar i Bordit të Drejtorëve - The Document Foundation

Komiteti i Birësimit të Formatit OpenDocument, OASIS është i gëzuar të njohë Lirinë e Dokumenteve 2012. ODF u ofron përdoruesve dhe konsumatorëve të dokumenteve të zyrës një mjet për të çliruar lëndën e tyre nga kufizimet e formateve pronësore. Sot, ka mjaft zbatime që e mbulojnë ODF-në, përfshi OpenOffice, LibreOffice, Calligra Suite, dhe të tjera. Si organizmi i zhvillimit të standardeve të hapura përgjegjës për zhvillimin dhe administrimin e ODF-së, OASIS është i lumtur të shohë përpjekjet e ekipit të Ditës së Lirisë së Dokumenteve të shtojë ndërgjegjësimin dhe njohuritë mbi vlerën e standardeve të hapura.

Donald Harbison, Kryetar, Komiteti i Birësimit të Formatit OpenDocument OASIS.

Njerëzit janë mësuar me idenë se kartelat mund të hapen vetëm me të njëjtin program që i ruajti, si të ish kjo gjendja natyrale e gjërave. Dhe në fakt qe, kohë më parë, në epokën e gurit të kompjuterave tetëbitësh të uritur për fuqi procesori dhe kujtesë. Sot, një program që nuk përdor standarde të hapura për të shkëmbyer të dhëna me cilindo program tjetër që ju doni të përdorni, do të duhej konsideruar njësoj difektoz si ata që vithisen pa u hapur mirë.

Federico Heinz, President, Fundación Vía Libre

Mund të mendoni se programi që po përdorni është më i miri. Dhe sipas shumicës së gjasave e keni drejt, pasi, pa dyshim, keni kërkuar gjatë përpara se të zgjidhnit atë mes të tjerëve. Por ja që, kur një ditë dikush ndërton një më të mirë, ose për atë që po përdorni do të reshtin përditësimet, do të kënaqeni kur të shihni që krejt kartelat tuaja gjenden nën një format të hapur dhe lirish të shkëmbyeshëm. A i keni të tilla?

Jozef Legény,programues software-esh

Ndërtuar në mënyrë të tillë që krejt bota — dhe në krejt të ardhmen — të mund të ndërtojë mbi ç'keni ngritur ju.

Lawrence Lessig, Drejtor i Qendrës Safra për Etikën në Universitetin e Harvardit, autor i 'Free Culture'

Standardet e Hapura dhe Liria e Dokumenteve janë jo vetëm thelbësore, por rëndësia e tyre është gjithnjë e më e dukshme, sa më shumë kohë që kalon. Nga dokumentet zyrtare dhe site-et web qeveritare e deri te arkivat shkencore apo kartelat mjekësore, qytetarët në epokën dixhitale merren - ose provojnë të merren - përditë me dokumente dixhitale. Është me rëndësi kyçe jo vetëm të bëhet e mundur që ata ta realizojnë këtë lehtësisht, pa pengesa, por gjithashtu të parandalohet një e ardhme e errët për ne, duke na dhënë mjetet e duhura për arkivimin e gjithë këtij iformacioni.

Marcos Marado, Zëvendëspresident i ANSOL-it

Kur sjell në mendje kompjuterët, Standardet e Hapura janë gjithçka: janë tullat dhe çimentoja e Internetit, dhe e kanë dëshmuar tashmë se janë të besueshëm, me faktin që cilido mund të bazohet në to, dhe kjo është një vlerë që nuk mund të matet.

Rubens A. Menezes Souza F., historian, docent për Sistemet Operative

Standardet vërtet të hapur janë çelësi për te liria e zbatuesit. Sendërtimet 'Libre' të standardeve të hapur - evoluar haptazi duke respektuar cilindo zë të interesuar - tashmë janë në qendër të shoqërisë së re dixhitale dhe Dita e Lirisë së Dokumenteve ia vlen të mirëpritet si kremtim i lirive që na duhen krejt neve për të ardhmen tonë të rrjetëzuar.

Simon Phipps, programues Software-esh të Lirë

Ndërveprueshmëria e patëmetë mes formateve të shkëmbimit të dokumenteve është kyçe për e-qeverisje moderne. Administrata Federale ka bërë një premtim lidhur me formatet e hapura të shkëmbimit të dokumenteve, për përkrahje të specifikimeve të pavarura nga tregtues për prokurimet dhe për t'i dhënë publikut një standard të mbuluar gjerësisht. Kjo përkrahet edhe nga nisma SAGA e Grupit Federal të Administrimit të TI-së.

Cornelia Rogall-Grothe, Komisionere e Qeverisë Federale për Teknologjinë e Informacionit, Ministria Federale e Brendshme, Gjermani

Promovimi i përdorimit të hapur të dokumenteve përmes Internetit është hap kyç drejt një shoqërie dixhitale. Kjo është veçanërisht e vërtetë për shtetin, i cili informacionet offline do të duhej t'i ofronte online në një format me standarde të hapura, që kështu ai informacion të jetë i përdorshëm nga krejt përdoruesit e Internetit. Në një demokraci dixhitale, e njohur edhe si Demokracia 2.0, përdorshmëria e hapur për dokumentet duhet arritur.

Jimmy Schulz, deputet i Parlamentit Gjerman.Fotoja nga: Christine Olma

Cilido duhet të jetë në gjendje të përdorë, ripërdorë dhe shpërndajë lirisht dokumente dixhitale dhe të dhënat brenda tyre. Mjerisht, aftësinë tonë për t'i gëzuar këto liri dhe për të ndërvepruar pastër me të tjerët e pengojnë formatet e mbyllur dhe pronësorë. Me qëllim që të vihet në punë dhe sigurohet liria e dokumenteve na duhet të përdorim, përhapim dhe zhvillojmë standarde vërtet të hapura që vijnë pa kleçka pretendimesh për patenta, dhe të përdorim software-e dhe teknologji risore dhe gjithëpërfshirëse.

Charles-H. Schulz, Drejtor i Document Foundation-it dhe anëtar bordi i Konsorciumit OASIS

Na duhet ta kapërcejmë kohën e sistemeve, standardeve dhe formateve të mbyllura, që të arrijmë hapjen, që kështu pjesëmarrja ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore të mund të garantohet në ditët e ndryshimit dixhital. Dita e Lirisë së Dokumenteve na kujton të luftojmë për këto qëllime, si në administratën publike, ashtu edhe në sektorin privat.

Malte Spitz, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv Kombëtar, BÜNDNIS 90/ DIE GRÜNEN, Gjermani

Standardet e Hapura do të duhej të ishin diçka e afërmendshme në botën e sotme ku informacionet janë gjërat më me vlerë në treg. Standardet hapura i detyrojnë kompanitë e software-eve të sjellin zbatime gjithnjë më të mira, ngaqë ato i japin shtysë konkurrencës në treg. Konsumatori, sigurisht, prej kësaj ka vetëm përfitim.

Miroslav Tokarčík, pronar i një shtëpi botimi

Tërë përdoruesit e kompjuterëve do të duhej të kishin të drejtë të punojnë lirisht në kompjuter. Përdorimi përjashtimor vetëm i formateve të Lira është hapi i parë që mund të hedhin për fitimin e kësaj të drejte.

Tiberiu C. Turbureanu, president, Fundația Ceata

The Document Foundation lindi si mbështetje e lirisë së software-it dhe dokumenteve, dhe Dita e Lirisë së Dokumenteve i shkon për bukuri bashkësisë LibreOffice të vullnetarëve. Ne jemi përditë të përfshirë në veprimtari kudo në botë në përkrahje të Formatit të Hapur të Dokumenteve (ODF), dhe jemi të lumtur të kontribuojmë te suksesi i vazhdueshëm i standardeve të vërteta për dokumente të hapura.

Italo Vignoli, The Document Foundation

Është bukur të shohësh kaq shumë vullnetarë me pasion për lirinë në teknologji. Këta njerëz janë thellësisht të ndjeshëm rreth mënyrës sipas të cilës software-et dhe standarded prekin jetën e tyre, dhe po marrin një nismë për të bërë të mundur që edhe të tjerët të gëzojnë të njëjtat liri me ta.

Fernanda Weiden, Free Software Foundation Europe

Suksesi i Internetit është sukses i Standardeve të Hapura. Standardet e Hapura po nxisin risi, ngaqë është më e lehtë të krijohen produkte të reja. Standardet e Hapura janë të adaptueshëm, ndaj shërbejnë si mbështetje e industrisë gjermane të software-it.

Brigitte Zypries, deputete e parlamentit gjerman për Darmshtadin, ish-Ministre e Jashtme federale. Fotoja nga: studio kohlmeier

To top